Aksidenti i frikshëm me 5 të plagosur, autobusi i “Green Line” ende në mes të lumit Lana!

Mbrëmjen e djeshme, autobusi i shërbimit urban, i Green Line të prezantuar një javë më parë nga Erion Veliaj regjistroi një aksident të frikshëm në afërsi të kinema Agimi. Autobusi i Linjës së Unazës së Vogël, mori përpara një Benz që më pas e fundosi poshtë rrotave të tij në Lumin e Lanës, ndërsa u bë si një urë lidhëse në lumin në fjalë.

Aksident la pas 5 të plagosur, 4 prej të cilëve gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm lanë ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë. Ndonëse kanë kaluar disa orë që nga ngjarja që për pak do të regjistronte një tragjedi, autobusi i aksidentuar qëndron ende në mes të lumit të Lanës, ndërkohë që makina me të cilin ai u përplas pak përpara aksidentit të rëndë, është zhvendosur.

Kujtojmë se në mesin e personave të plagosur janë drejtuesit e të dy mjeteve, faturino i urbanit, si dhe dy pasagjerë, njëri në mjetin e transportit publik, dhe tjetri në makinën që përfundoi në Lanë poshtë rrotave të autobusit. Ndërkohë një qytetare e cila kishte parë tmerr me sy nga ngjarja është shprehur për JOQ Albania se brenda urbanit mbizotëronte paniku dhe se fatmirësisht Zoti i ruajti të gjithë.

“Isha edhe unë në urban. Panik dhe tmerr i paparë. Na ruajti Zoti të gjithë që ishim brenda. Gjynah për makinën që ishte poshtë nesh. Ishalla nuk ju ka ndodhur gjë atyre”-tha qytetarja për JOQ Albania.

Lidhur me shkakun e ngjarjes dyshohet të jetë bërë shpejtësia e lartë e autobusit me pasagjerë, teksa shoferët e këtyre autobusëve të kësaj linje janë denoncuar shpesh në media, për shkak se ecin me shpejtësi të lartë, por jo pak herë disa nga drejtuesit e këtyre mjeteve janë kapur edhe me sasi të lartë alkooli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.

Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃