Në eventin e mbajtur për inagurimin e Agjencisë së Industrisë Kreative, ishin të pranishëm shumë artistë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një ndër ta ishte edhe aktori Nik Xhelilaj, i cili zbuloi planet dhe projektet e reja që do të sjellë së shpejti në vendin tonë.

Në një intervistë të shkurtër për “TAR” ai tregoi se ky investim që po bëhet i afron më shumë të rinjtë drejt artit dhe kulturës, madje në sensin e organizimit ai shprehu se është një investim më i mirë se jashtë vendit.

“Sa herë që unë vij nga jashtë është për shkak të Gertit që marr më shumë informacion në lidhje me Tiranën, historinë e saj, çfarë po ndodh këtu, pse duhet të investohet në këtë kryeqytet. Dhe për këtë arsye kam ardhur këtu sot jo vetëm për të mbështetur mikun tim por edhe ndjej një lloj vetëkënaqësie sepse normalisht që të merr malli.”tha aktori.

 Duke folur për shqiptarët që largohen jashtë vendit, ai shprehu se kohët e fundit sipas tij të rinjtë tashmë kanë nisur të investojnë më shumë në Shqipëri, dhe nuk bëjnë më tentativa për t’u larguar jashtë.

 “Këtë radhë më duket se të rinjtë kanë më shumë një tentativë për të ndejtur në Shqipëri. Ideja ka qenë që të iknin nga Tirana, nga Shqipëria, këtë radhë ndiej sikur duan të investojnë në qytetin e tyre. Por më duket se po ndodh e kundërta sepse duket që ka një tërheqje. Distancat tani janë bërë të afrueshme dhe nuk është më si dikur që dukej e vështirë të flisje kur ishe në Berlin.”shprehu Nik Xhelilaj.

Aktori i njohur tregoi gjithashtu se po planifikon të sjellë projekte të reja, kësaj here në Shqipëri.

“Do rri pak këtu, do mendoj disa gjëra të bukura. Kam projekte këtu. Sot është starti i ideve.”– tha ai duke mos dhënë më tepër detaje.

© Panorama.al
Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃