Qëlloi me armë Edis Reçajn në Shkodër, arrestohet në hotel Elfat Salihi

Në mbrëmjen e 19 prillit mbeti i plagosur Edis Reçaj 28 vjeç. Pas të shtënave me armë në lagjen Perash të Shkodrës, Reçaj kishte marrë një plumb në këmbë, ndërsa u paraqit vetë në spitalin e Shkodrës.

Pas ngjarjes policia identifikoi autorin që plagosi Edis Reçajn, nipin e Edmir Alisë i cili u ekzekutua në dhjetor të vitit 2014 bashkë me shokun e tij Mondi Batri. Në datë 21 prill, policia e Shkodrës bëri me dije se autori i plagosjes së 28-vjeçarit shkodran është Elfat Salihi, 31-vjeç.

Ndërkohë sot Elfat Salihi është prangosur nga policia, teksa fshihej në një hotel, pronari i të cilit është vënë nën hetim nga policia. Bëhet e ditur se Reçaj dhe Salihi kanë pasur njohje të mëparshme mes tyre, teksa autori që plagosi nipin e Edmir Alisë para 6 vitesh u plagos me 4 plumba pranë banesës së tij. Hetuesit po hetojnë ngjarjen, ndërsa priten detaje të reja në vazhdim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Perash”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 28 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 19.04.2022.

Procedohet penalisht pronari i hotelit ku fshihej personi në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim për plagosje me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Perash”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi i personit të kërkuar, i cili fshihej në një hotel në lagjen “Mark Lula”. Shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. S., 29 vjeç, banues në lagjen “Daniel Matlija”, Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se më datë 19.04.2022, në lagjen Perash, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin E. R., 28 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”, shtetasi Gj. D., 59 vjeç, banues në Shkodër, pronari i hotelit në të cilin fshihej shtetasi E. S. Shtetasi D. Gj. nuk ka kryer procedurat e nevojshme për regjistrimin dhe lëshimin e kuponit tatimor për shërbimin e ofruar në subjektin (hotelin) që administronte.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.

Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃