Kantautori i njohur Boiken Lako u dënua këtë të enjte me 3 vite shërbim prove nga Gjykata e Tiranës në lidhje me një ndërtim të paligjshëm te rruga “Shefqet Musaraj” në kryeqytet.

boiken lako 1

Burime për Panorama.al konfirmojnë se shkak për dënimin e tij janë bërë punimet e kryera në ambientet e një godine të marrë me qera me qëllim ndërtimin aty të një studioje muzikore.

Në dosjen hetimore theksohet se procedimi penal nisi pas një telefonate në komisariatin e policisë nr. 2 se në ambientet e një godine në bllokun e magazinave tek ish-NISHARAKU, po kryheshin punime pa leje.

“Në Komisariatin e Policisë Nr.2 është njoftuar me telefon nga një qytetar, se në rrugën “Shefqet Musaraj”, tek një ndërtesë 2-katëshe të pabanueshme, po kryheshin punime ndërtimore pa leje. Pas njoftimit, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjatë këqyrjes është konstatuar se kjo godinë ishte në bllokun e ish-magazinave tek ish-NISHARAK.

Nga këqyrja ka rezultuar se në katin e dytë ishte një ambient holl, me përmasa 30 m2 me 7 të përshtatura në dhoma, ku po kryheshin punime ndërtimore. Në dhomën e parafundit nga ana lindore ishte hapur një mur, me përmasa 120×100 cm, një dritare, në dyshemenë e kësaj dhome kishte materiale inerte, tulla dhe llaç, në dhomën e fundit ishte vendosur një dritare duralumini, të gjitha ambientet e brendshme ishin të ndara në dhoma, nuk kishte dyer të vendosura, tavani i hollit të ambientit ishte i pa suvatuar, por i shtruar me parket laminat”, thuhet në dosjen hetimore.

Boiken Lako ka deklaruar se punimet po kryheshin për llogari të tij në godinë, të cilën e ka marrë me qera duke dashur ta sistemojë me qëllim ta kthente në një studio muzikore. Ka shkuar tek Njësia Administrative Nr.7 dhe ka aplikuar më 21 Janar 2021. Pasi ka dalë leja, ka kontaktuar me një mikun e tij për të ndjekur punimet pasi ai vetë ishte i zënë.

Sipas shkresës nga IMT-ja Bashkia Tiranë, thuhet në vendimin e gjykatës, inspektorët kanë konstatuar se po bëheshin punime pa dokumentacion në objekt, që konsiston në hapjen e katër dritareve në njërën faqe të objektit, me përmasa 75x140cm dhe 120x140cm, në katin e dytë të ndërtesës. Ndaj Lakos është mbajtur proces-verbal i konstatimit të kundravajtjes më 17 Shkurt 2021, ndërsa më 26 Shkurt është dënuar me 50 000 lekë gjobë.

© Panorama.al
Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃