Edona Bilali është ndër ministret më të reja në kabinetin e qeverisë. Të gjithë u çuditëm kur ndeshëm emrin e saj në listën e Shkodrës, e më pas emrin e saj si ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ndonëse në një moshë të re, ajo çon përpara një ministri me një volum pune. Por duket se kjo nuk e ka ndaluar që të jetojë jetën e saj larg politikës.

Një lajm i mirë mbërrin nga Edona, e cila duket se është në pritje të ëmbël për herë të parë. Ministrja ka vendosur që këtë lajm ta mbajë edhe për disa kohë të fshehtë, duke u fokusuar te detyra e saj dhe angazhimet dinamike që ka si ministre. Deri më tani, në rrëfimet që ka pasur për jetën private, ministrja nuk e ka përmendur asnjëherë këtë lajm kaq të gëzuar. Ministrja 33-vjeçare dhe bashkëshorti i saj do të bëhen së shpejti me fëmijën e tyre të parë, dhe këtë periudhë po e jetojnë të gëzuar, duke zgjedhur ta mbajnë privat si lajm.

Megjithatë miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e afërt të Bilalit, e kanë marrë tashmë lajmin e mirë të saj, duke shkëmbyer menjëherë edhe urimet për shtatzëninë e një prej ministreve më të reja. Vetëm pak javë më parë, Edona foli publikisht për jetën e saj private, duke zbuluar se ishte lumturisht e martuar. Ministrja ishte e ftuar në emisionin “FitStation” me Çenkuela Hasën.

Në këtë intervistë për ekranin e “News24”, ajo zbuloi detaje nga takimi i parë me Kryeministrin Rama, raporti me familjen dhe bashkëshortin. “Pjesë të politikës më bëri takimi me Kryeministrin Rama, një takim i paparashikuar. Nuk kam pasur ambicie politike, vij nga radhët e biznesit. Në takimin me Kryeministrin ishte surprizë e gjithë situata, hyra me pritshmëri shumë të ulëta, por patëm dhe gjatë takimit diskutimet tona, pasi unë kisha rezerva që mund të ishte bërë diçka më mirë, gjithmonë për Shkodrën”, u shpreh ministrja Bilali.

Në këtë intervistë, ajo foli dhe për bashkëshortin duke zbuluar më shumë detaje për jetën personale. “Jam e martuar dhe e dashuruar. Bashkëshorti nuk ka lidhje me politikën, as me jetën publike. Ai është mbështetja ime më e madhe dhe njëkohësisht kritiku më i madh”, tregoi Edona Bilali në këtë rrëfim ndryshe. Më tej, në këtë intervistë, ajo zbuloi mbështetjen që i jep familja, duke zbuluar se si studente, si sot që është ministre, ajo e merr bukën me vete.

“Unë di të gatuaj dhe shumë mirë, sidomos gjatë karantinës kam gatuar çdo ditë. Gjëja që di të gatuaj më mirë është sallata. Jam e fiksuar që në sallata të fus shumë përbërës, sidomos fruta”, u shpreh ajo. Aktualisht ministrja është thuajse në mesin e shtatzënisë dhe barku i rrumbullakosur ende “arrin” të fshihet poshtë veshjeve zyrtare që ajo mban veshur.

Çdo të enjte ajo nuk mungon në seancat plenare, ku ndonëse shtatzënë, ajo vijon me të gjitha angazhimet e saj. Ashtu si koleget e saj në kabinetin Rama, edhe Edona me gjasa do të rikthehet shumë shpejt në krye të detyrës pas lindjes, si dhe do ta vijojë detyrën në krye të ministrisë deri në ditët e fundit para lindjes. Ashtu siç vetë ajo është shprehur, tashmë familjarët e saj jetojnë në Tiranë dhe me siguri, këtë herë e gjithë mbështetja e tyre do të shkojë edhe për fëmijën që Bilali po pret.

Edona Bilali është emëruar ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Edona Bilali ka lindur në vitin 1989 në Shkodër. Në zgjedhjet e fundit ajo kryesoi listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Shkodër. Referuar jetëshkrimit të saj zyrtar, në vitet 2006-2010 ajo ka kryer Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, për Administrim biznesi. Në vitet 2012-2014 ka kryer po në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë një master profesional në Marketing.

Në vitin 2017 ajo ka nisur doktoraturën për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare në Austri. Sa i përket eksperiencës së punës, nga viti 2013 e deri tani ajo është administratore dhe ortake në një studioje konsulence në Tiranë. Që prej viti 2010 është pedagoge e ftuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe që prej viti 2011 është menaxhere projektesh ndërkombëtare me donatorë të ndryshëm.

LAJMIN E PLOTE E LEXONI NE PANORAMAPLUS.AL

© Panorama.al
Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃