PANORAMA PLUS/ Teksa Dua Lipa ngjit gjithnjë e më shumë shkallë suksesi në karrierën e saj, po aq shumë po shtohen edhe 0 në llogarinë bankare të artistes. Tashmë ajo është artistja e dytë britanike e re më e pasur.

Ed Sheeran mund të bëhet muzikanti i parë miliarder britanik. Pasuria e tij u rrit me 40 milionë funte (47.2 milionë euro) gjatë vitit të fundit, sipas listës së përpiluar nga “Sunday Times Music”. Kantautori i zë vendin e 10-të në listën vjetore të artistëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë me një pasuri totale të vlerësuar prej 260 milionë funtesh (307 milionë euro).

Sir Paul McCartney, 79 vjeç, është i pari në renditje me një pasuri prej 865 milionë funtesh (një miliardë euro), të cilën ai e ndan me gruan e tij amerikane Nancy Shevell, por Sheeran mund ta mposhtë atë duke arritur në një pasuri prej një miliardë funtesh nëse vazhdon trajektoren e tij aktuale.

Kompozitori Andrew Lloyd Webber, 74 vjeç, ka pësuar rënie me 30 milionë funte (35 milionë euro), duke pasur 495 milionë funte (585 milionë euro) në total, zbritje e cila erdhi mes ndikimit të COVID-19 në botën e teatrit, por është ende në vendin e tretë.

Teksa publikon albumin e tij të tretë solo, ish-ylli i ‘One Direction’, Harry Styles, 28 vjeç, i shton pasurisë së tij 25 milionë funte (29.5 milionë euro), duke e bërë atë muzikantin më të pasur nën moshën 30-vjeçare me një pasuri totale prej 100 milionë funtesh (118 milionë euro). Vitin e fundit këngëtari ka nisur një turne në Amerikën e Veriut dhe ka nxjerrë në shitje albumin e tij të dytë “Fine Line”.

Pasi rriti pasurinë e saj me 24 milionë funte (28.3 milionë euro) në një total prej 60 milionë funtesh (70 milionë euro), Dua ngjitet në vendin e dytë në listën e muzikantëve të rinj, duke u barazuar me grupin e vajzave ‘Little Mix’.

Sting ka rritur pasurinë e tij personale me 100 milionë funte (118 milionë euro) në rreth 320 milionë funte (378 milionë euro) pasi shiti të drejtat e tij muzikore te ‘Universal Music’ në fillim të këtij viti. Në dhjetor 2020, Universal bleu të gjithë koleksionin e këngëve të Bob Dylan për një shumë prej 300 milionë dollarësh (354 milionë euro) amerikanë.

Rokerët e grupit U2 janë hyrja kryesore irlandeze në listë, me vlerë 625 milionë funte (739 milionë euro), ndërsa ish-anëtari i ‘One Direction’, Niall Horan është muzikanti i ri më i pasur i vendit, me pasuri në vlerë 52 milionë funte (61 milionë euro).

VIJON…LEXO LAJMIN E PLOTE NE PANORAMA PLUS (KLIKO KETU)

© Panorama.al
Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃