Gjyqi i Johnny Depp dhe Amber Heard ka rinisur. Aktorja ka dalë para Gjykatës dhe është marrë në pyetje nga avokatët e Johnny pas dëshmive.

Depp e ka akuzuar Heardin se ka shpifur për të në një shkrim të vitit 2018 për ‘Washington Post’. Në artikull, i cili u botua afërsisht dy vjet pasi ata u divorcuan, Heard e përshkroi veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”. Megjithëse Depp nuk u përmend në artikull, ai pretendon se kjo i kushtoi atij karrierën. Heard ka paraqitur një kundërpadi për 100 milionë dollarë.

“Eseja nuk ishte për Johnny Depp”

Heard u ndal te shkrimi i saj dhe tha se nuk kishte të bënte me Johnnyn por me të dhe pranoi ta publikonte  sepse besonte në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e trajtuara në artikull. “Çdo fjalë është e vërtetë,” tha Heard. Heard dëshmoi se ajo nuk kishte asnjë rol në shkrimin e titujve që u shfaqën me artikullin në internet dhe në botimin e printuar, por ishte krenare për versionin që u shfaq në gazetë.

Amber shkroi mes të tjerash: “Dy vjet më parë, u bëra një figurë publike që përfaqësonte abuzimin në familje dhe ndjeva forcën e plotë të zemërimit të kulturës sonë për gratë që flasin. Miqtë dhe këshilltarët më thanë se nuk do të punoja më kurrë si aktore – se do të futesha në listën e zezë.  Sapo kisha xhiruar një fushatë dyvjeçare si fytyra e një marke globale të modës dhe kompania më la. U ngritën pyetje nëse do të mund ta mbaja rolet në filmat “Justice League” dhe “Aquaman”.”

Të hënën, ajo tha se artikulli nuk ishte për Johnny Depp, por për atë që i ndodhi asaj pasi martesa e tyre përfundoi. “Nuk ishte për Johnny. I vetmi që mendoi se bëhej fjalë për Johnny ishte Johnny. Ishte për mua dhe jetën time dhe atë që kam duruar pasi vazhdova me jetën time. Ishte për atë që më ndodhi më pas. Ironikisht, i vetmi që e bëri atë për të është Johnny.”

Fundi i martesës

Heard dëshmoi se përdorimi i drogës dhe abuzimi fizik i pretenduar nga Depp e bëri atë të paraqiste kërkesë për divorc nga ai në vitin 2016, pas pak më shumë se një viti martesë. “E dija nëse nuk do ta bëja, me siguri nuk do të mbijetoja. Isha aq e frikësuar sa do të përfundonte shumë keq për mua dhe me të vërtetë nuk doja të ndodhte. E doja shumë atë, por dhuna u bë diçka normale.” Heard tregoi gjithashtu se pse ajo nuk bashkëpunoi me policinë kur ata shkuan në shtëpinë e çiftit në Los Angeles menjëherë pas një sherri mes tyre në maj 2016. “Pse nuk deshe të bashkëpunoje me policinë?” E pyeti avokatja Elaine Bredehoft. “Sepse doja të mbroja Johnny. Nuk doja që ai të arrestohej. Nuk doja që kjo të nddohte. Nuk doja që ai të ishte në telashe,” dëshmoi Heard.

“Dua të vazhdoj jetën”

Heard dëshmoi gjithashtu për kundërpadinë e saj, e cila lidhet me tre deklarata që avokati i Depp ka bërë, e para në 2019, në lidhje me pretendimet e Heard për abuzim, duke i quajtur pretendimet e saj “mashtrim”. “Fatkeqësisht, e gjithë kjo është e vërtetë,” dëshmoi Heard. “Johnny dhe unë e përjetuam këtë. Ne e përjetuam të dy këtë. Unë mezi i mbijetova, por e mbijetova.” Heard dëshmoi se skenat e saj në filmin e ardhshëm të “Aquaman”, të titulluar “Aquaman and the Lost Kingdom”, u reduktuan që kur u bënë deklaratat e tij.

“Kam luftuar shumë për të qëndruar në film,” dëshmoi Heard. “Më dhanë një skenar dhe më dhanë versione të reja të skenarit. Ata në thelb më hoqën shumë pjesë nga roli im.” Heard dëshmoi se ajo nuk donte të ishte pjesë e gjyqit që e ka detyruar të rijetonte përvojat e dhimbshme që ishte përpjekur t’i mbante private. “Unë kam një fëmijë; dua të vazhdoj jetën. Dua që edhe Johnny të vazhdojë”, tha Heard. “Unë thjesht dua që ai të më lërë rehat.”

Marrja në pyetje

Gjatë fillimit të marrjes në pyetje, Camille Vasquez, një nga avokatë e Depp filloi të merrte në pyetje Heard për akuzat e saj për abuzim, herë pas here duke zmadhuar fotot e bëra të aktores gjatë daljeve publike pas incidenteve të ndryshme të dyshuara të abuzimit fizik dhe duke vënë në dukje se Heard nuk kishte shenja.

Heard e ka akuzuar Depp-in se e ka abuzuar fizikisht dhe seksualisht gjatë gjithë marrëdhënies së tyre. Depp mohoi ta ketë goditur gjatë dëshmisë së tij. Ekipi ligjor i Depp ka akuzuar Heard si abuzues në marrëdhënie.
“Z. Depp është viktima juaj, apo jo?” -Vasquez e pyeti Heard. “Jo, zonjë,” u përgjigj Heard.

Vasquez kujtoi incidente të shumta ku Heard akuzoi Depp-in se e kishte goditur, herë pas here në fytyrë ndërsa mbante unaza të mëdha. Heard dëshmoi se ndërsa çifti ishte në Rusi në qershor 2013, Depp e goditi atë në fytyrë aq fort sa ajo mendoi se kishte thyer hundën dhe se kishte gjakderdhje. Vasquez nxori fotot e bëra nga vetë Heard gjatë udhëtimit dhe fotot e kapura nga paparacët.“Nuk keni ndonjë lëndim të dukshëm në fytyrën tuaj, apo jo?” pyeti Vasquez. “Asnjë që mund të shihni,” u përgjigj Heard. “Edhe pse zoti Depp ju goditi në fytyrë aq fort sa doli gjak nga hunda?” tha Vasquez. “Ai e bëri,” u përgjigj Heard.

Vasquez pyeti Heard-in për donacionet e bamirësisë që ajo ishte zotuar të bënte për 7 milionë dollarët që mori nga Depp pas divorcit. Heard dëshmoi më herët se ajo nuk i ka përmbushur premtimet monetare që ka bërë në ACLU dhe në një spital për fëmijë në Los Angeles, sepse Depp e paditi atë.

“Ju ende nuk i keni dhuruar 7 milionë dollarët për bamirësi, a nuk është kështu?” pyeti Vasquez. Heard filloi të përgjigjet: “E pasaktë. Kam premtuar të gjithën, 7 milionë dollarë për bamirësi dhe kam ndërmend të plotësoj…”. Vasquez e ndërpreu ashpër Heardin. “Kjo nuk ishte pyetja ime. Ju lutemi përpiquni t’i përgjigjeni pyetjes sime. Ju nuk keni dhuruar 3.5 milionë dollarë për ACLU?” Vasquez e pyeti Heardin. “Jo,” u përgjigj Heard. Vasquez vazhdoi: “Dhe nuk i keni dhuruar 3.5 milionë dollarë në Spitalin e Fëmijëve të Los Angeles?” “Nuk e kam bërë ende; Johnny më paditi,” u përgjigj Heard.

Amber Heard pranon se Elon Musk bëri donacione bamirësie për ACLU në emrin e saj

Amber pranoi në sallën e gjyqit se Elon Musk bëri disa nga pagesat e saj për bamirësi në emër të saj pasi asaj iu dha një pagesë prej 7 milionë dollarësh nga Depp. bElon Musk bëri donacione në vlerë prej 1 milion dollarësh në emrin e saj.

“Elon, i cili ishte i dashuri im në atë kohë, kishte kontributet e tij të bamirësisë që ai dha. Ai dhuroi 500,000 dollarë për të dy për në emrin tim, në vitin 2017.’

Seanca e fundit pritet të mbahet rreth datës 27 maj, pasuar nga shqyrtimi i jurisë.

© Panorama.al
Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃