Në orët e vona të natës së 15 majit, ashensori në spitalin “Nënë Tereza” pësoi defekt dhe lëndoi një paciente dhe një infermier që ndodheshin aty. Rreth orës 23:30, në katin -1, punonjësi shëndetësor K. D., duke transportuar me barrelë V. C., paciente në spital, për shkak të një defekti të ashensorit kanë përfunduar në katin e nëndheshëm të spitalit dhe janë lënduar.

Pas ngjarjes policia bëri me dije se mbeti e lënduar në kokë pacientja 80 vjeçare e cila është dërguar për mjekim më të specializuar tek Spitali i Traumës si dhe infermieri që ka lëndime të lehta në trup. E moshuara ndodhet në gjendje të rëndë, teksa në fillim u dyshua se ashensorit i është këputur një prej kavove dhe është rrezuar duke përfunduar në katin e nëndheshëm -1.

Ndërkohë sot ka reaguar edhe Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut,. Sipas këtij institucioni, ashensori që pësoi defekt dhe la të plagosur dy persona i është nënshtruar ekzaminimit fillestar dhe rezulton që nuk ishte i regjistruar.

ISHMT shkruan se personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve.

ISHMT:

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në QSUT, ku si pasojë e një problemi në funksionimin e ashensorit janë plagosur dy persona, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj zbatuese, është angazhuar maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes, përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla, të cilat cënojnë sigurinë e qytetarëve.

Paraprakisht dëshirojmë të informojmë se, në bazë të inspektimit të kryer nga ISHMT, rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar.

Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Kontrollet për sigurinë e ashensorëve kanë qenë një ndër prioritetet e veprimtarisë së Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, ku vetëm për vitin 2021 janë kryer 336 inspektime, ndërkohë që numri i ashensorëve të regjistruar pranë ISHMT është 1429.

Gjithashtu, ISHMT ka informuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha grupet e interesit mbi detyrimet ligjore që duhet të përmbushen lidhur me sigurinë e ashensorëve.

ISHMT iu bën thirrje të gjithë personave përgjegjës të kryejnë procedurën e regjistrimit të ashensorëve pranë këtij institucioni, ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, por edhe ashensorët që janë në përdorim, në mënyrë që të garantohet që ashensorët në përdorim për të tretët apo publikun e gjerë të jetë në përputhje me kërkesat e sigurisë së produktit/instalimit të vënë në shërbim gjatë gjithë periudhës së tij të përdorimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.

Get CyberSEO Lite (https://www.cyberseo.net/cyberseo-lite) - a freeware plugin for WordPress to pull full-text RSS articles 📃