Aksidentimi i turistëve në Syrin e Ciklopit, policia zbulon detaje: Ranë nga lartësia, u desh ndëryhrja e helikopterit

Policia e Tiranës ka zbardhur detaje nga rënia nga lartësia e dy turistëve në zonën e “Syrit të Ciklopit”.


Përmes një komunikate zyrtare policia bën me dije se shtetasit D. K., 50 vjeçe dhe K. K., 80 vjeç, pas aksidentimit janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës me helikopter, pasi ka qenë e vështirë transportimi nga toka.

shpella e pellumbasit 2

Tiranë/Informacion paraprak

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vijnë në ndihmë 2 turistëve që u dëmtuan gjatë eksplorimit të natyrës, në vendin e quajtur “Syri i Ciklopit”.

Sot, rreth orës 16:30, në zonën e quajtur “Syri i Ciklopit”, duke eksploruar natyrën, dyshohet se kanë rënë nga lartësia, në një zonë me terren shumë të vështirë, shtetasit D. K., 50 vjeçe dhe K. K., 80 vjeç.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e tyre nga vendi ku ishin rrëzuar.

Falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shërbimit mjekësor dhe emergjencave është bërë e mundur nxjerrja e 2 shtetasve të dëmtuar, dhe dhënia e ndihmës së parë.


Duke vlerësuar rrezikun për transportimin e të dëmtuarve me barrelë, nga vendi ku kishin rënë, deri te ambulanca, është bërë e mundur që me një helikopter, të transportohen për në Spitalin e Traumës.

© Panorama.al