Apeli i Katanias rikthen në burg “financierin e Habilajve”, Nezar Seiti. Kush janë pesë anëtarët e grupit të vlonjatëve të riarrestuar

Dje Nezar Seiti, shqiptari tjetër Meridian Sulaj dhe 3 shtetas italianë, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, u arrestuan sërish në një operacion të “Guardia di Financa” pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Katania.

Nezar Seiti
Nezar Seiti

Ata u shpallën fajtorë dhe dënuan me rreth 42 vite burg në total për trafik droge dhe armësh nga Shqipëria në Itali. Më herët, për të njëjtin operacion, në pranga u vunë edhe 24 korrierë droge në Itali që shpërndanin kanabisin e trafikuar kryesisht nga vendi jonë.

Të gjitha shkallët e Gjyqësorit në Itali kanë dënuar tashmë kreun e këtij grupi kriminal, Moisi Habilajn, por edhe anëtarë të tjerë, të cilët gjenden nëpër dosje prokurorish prej plot 5 vitesh. Vetë Habilaj, i dënuar me 15 vite burg, është në kërkim pasi u arratis nga arresti shtëpiak ku e kishte lënë gjykata italiane.

Ndërkohë një tjetër proces vijon në Shqipëri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për “Habilajt”, të cilët konsiderohen përgjegjës për trafikun e të paktën 3.4 ton kanabisi nga brigjet e Vlorës drejt Italisë.

MEDIAT ITALIANE

Sipas të dhënave të medias italiane bëhet me dije se Guardia di Financa e Katanias, e deleguar nga Prokuroria Publike ka zbatuar pesë urdhra burgimi, të lëshuara nga Prokurori i Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit të Katanias.

Tre italianë dhe dy shqiptarë janë dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe mbajtje pa leje të armëve ushtarake.

Të pestë ishin arrestuar në kuadër të operacionit “Rosa dei Venti” të zhvilluar kundër një grupi kriminal të përbërë nga italianë dhe shqiptarë.

Grupi ishte përgjegjës për trafikun e marijuanës të importuar nga Shqipëria me destinacion sheshet e farmacive të Katanias, Siracusës dhe Raguzës. Tre shtetasit italianë të dënuar janë Angelo Busacca, Antonino Riela dhe Vincenzo Spampinato.

Ndërsa shqiptarët e dënuar janë Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj. Hetimet nga Guardia di Finanza çuan në sekuestrimin e rreth 3.5 tonë marjiuanë, automatikë kallashnikov dhe arrestimin në flagrancë të 24 korrierëve të drogës.

Hetimet e mëpasshme me policinë shqiptare dhe Interpolin bënë të mundur konstatimin e një trafiku të 4 tonëve drogë të tjera.

Sulaj u dënua me 8 vjet burg, Busacca me rreth 7 vjet burgim, Riela u dënua me 14 vjet e 8 muaj burgim, Seiti u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim, Spampinato u dënua me 9 vjet burg.

© Panorama.al