Dalin pamjet e operacionit/ Policia arreston autorët e grabitjes së bankës, gjenden në ujë kallashnikovët. Kapen me ‘shtëpi bari’ edhe të afërmit e autorëve

Policia e Shkodrës ka nxjerrë pamjet e operacionit ‘Syri i Sheganit’ ku janë vendosur në pranga 3 persona si autorë e grabitjes së një prej bankave të nivelit të dytë në Koplik të ndodhur tre javë më parë.  Policia ka arrestuar Bekim Gurraj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

Autorët grabitën një shumë parash nën kërcënimin e armës dhe më pas u arratisën me automjetin e tyre tip Golf. Rrugës autorët kanë vendosur të djegin automjetin e tyre dhe kanë grabitur në rrugë një tjetër makinë për të humbur gjurmët gjatë ndjekjes së policisë. Ndërsa kanë hedhur në ujë kallashnikovët me të cilët kanë kryer grabitjen. Armët janë gjetur sot nga policia.

Në aksionin për arrestimin e këtyre tre personave policia ka gjetur edhe shtëpi bari të ngritur nga të afërmit e këtyre personave. Policia ka ushtruar kontroll në banesën e Albin Shabajt i cili ka lidhje shoqërore me autorët e dyshuar të grabitjes së bankës ku janë gjetur 9 kg kanabis.

Në pranga janë Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj. Ndërsa në banesën e Ramiz Nikdukajt, policia ka zbuluar një ambient përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave, ku janë sekuestruar 22 kg kanabis.

Në pranga është vënë Ramiz Nikdukaj, dhe dy persona që merreshin me kultivimin e kanabisit në shtëpinë e tij të barit, A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan.

© Panorama.al