Dy operacione antidrogë brenda pak orëve/ Si personat siguronin kokainën dhe më pas e shisnin në Lezhë dhe Tiranë. Detajet

Policia e Tiranës thotë se brenda 12 orëve ka goditur dy raste të trafikut të drogës në doza të vogla. Në pranga janë vënë dy persona, të cilët siguronin kokainën dhe më pas e shisnin atë në doza të vogla në Tiranë dhe Lezhë.

policia

VIJON

Tiranë

Finalizohen brenda 12 orëve, 2 operacione policore, të koduara “Yellow pack” dhe “Plastic”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Yellow pack” u vu në pranga 1 shtetas dhe u sekuestrua 1 kg e 15 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Plastic” u vu në pranga 1 shtetas dhe u procedua në gjendje të lirë një tjetër, si dhe u sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionet policore të koduara “Yellow pack” dhe “Plastic”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Yellow pack” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– V. K., 46 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Në rrugën “Asim Vokshi”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin V. K., 46 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 15 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, pasi siguronte sasi lënde narkotike në peshën 2-3 kg, e ndante atë në doza, të cilat i shisnin më pas në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe të qytetit të Lezhës.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plastic” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– R. D., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, shtetasi I. Zh., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndë narkotike kokainë, e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme peocedurale.

© Panorama.al