Dyshimet për vdekjen e 17-vjeçares, avokati: Vrasja u kamuflua si aksident! Nëna e viktimës: Si doli djali nga uji me rroba të thata?!

Alketa Duro ka ngritur akuza për manipulimin  e aksidentit që i mori jetën vajzës së saj Ana në moshën 17 vjeçare, më 15 Mars 2019 në plazhin Borsh.

vajza

Dy të rinj u përfshinë në aksident ishin me makinën e familjes së vajzës, pasi familjet ishin në dijeni të lidhjes së Anës me të riun Roberto Dhuli. Atë pasdite rreth orës 17:00 çifti i të rinjve ishin anës plazhit kur makina doli nga rruga dhe ra në një kanal kullues në anë të rrugës.

Automjeti u kthye përmbys dhe si pasojë humb jetën 17-vjeçarja, ndërsa djali shpëtoi. Nëna e viktimës ka dyshimet e saj në lidhje me këtë ngjarje.

Na thanë që ka qenë vajza shofere dhe ajo e bëri aksidentin. Mirëpo shumë gjëra nuk më lidhen në këtë pjesë dhe e dyshoj. Rruga është një gjerësi shumë e madhe. Kishin mundësi të mos binin në kanal, të frenonin, të ktheheshin majtas nga rëra. Dyshimi tjetër është që djali më thanë që ishte i pa lagur. Shoku i vajzës sime, njerëzit e parë që kanë vajtur më thanë që ka qenë i pa lagur. Ra në ujë dhe ishte i pa lagur. Kur e kam pyetur si ka mundësi, më tha që një çun e mora në telefon dhe më solli rrobat. Ai telefonin e kishte vënë në shtëpinë time. U gjet rruga më e thjeshtë, që ajo e kishte fajin. Të ma vërtetojë drejtësia që është siç thotë ai apo është diçka ndryshe. Unë jam 1000% e bindur që vajza ime nuk ka qenë në timon. Si ka mundësi që ti bashkë me të nuk e ndihmove”, tha Duro në emisionin Stop në Tv Klan.

Çështja e aksidentit në Borsh duhej të hetohej nga Prokuroria e Vlorës, por këtë dosje e mori Saranda me prokurorin Lorenc Merkuri. Ky i fundit pas 4 ditësh e mbylli hetimin e aksidentit, duke ‘shpallur fajtore’ viktimën.

“Mua nuk më pyeti njeri. Prokurori kur kam kërkuar zhvarrimin e vajzës, u ngrit dhe ulërinte, ç’janë këto që kërkoni. U zverdh, u bë lule kungulli. Nuk e kuptova reagimin e prokurorit. Isha prezente bashkë me avokatin”, tha Duro.

Çështja e aksidentit në Borsh u transferua në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. “Stop” mësoi, se së fundi çështja ndodhet në Vlorë, në dorë të prokurores Flora Çela.

“Dua t’u them qytetarëve shqiptarë dhe zotërinjve të ONM në Tiranë, atyre të KLP, Prokurorit të Përgjithshëm, kryeprokurorit të SPAK që ta hetojnë këtë çështje se është mbuluar një krim. Është bërë një vrasje dhe është kamufluar sikur është aksident”, tha avokati Zaçe Islami.

DOSJA

“Stop” siguroi dosjen e aksidentit në Borsh në Mars 2019, si pasojë e të cilit humbi jetën një 17-vjeçare. Në dosje mungojnë fotot e momentit të aksidentit, kur makina ka qenë brenda në kanal përmbys. Avokati Zaçe Islami, i cili përfaqëson nënën e vajzës tregoi detaje nga pasaktësitë e hetimit.

Është bërë maratonë. Prokurori i çështjes është fajtor që nuk është evidentuar vendi i krimit, vendi i ngjarjes. Nuk na kanë dhënë fotografi të makinës në vendin e ngjarjes. Janë prishur provat me urdhër të prokurorit”, tha avokati.

I dashuri i vajzës Roberto Dhuli, në fillim ka treguar se ka dalë nga ana e pasagjerit. “Shpjegimet që dha shoku i vajzës në gjykatë me konkluzionet e ekspertit bien në kundërshtim me njëri-tjetrin. Personi i vetëm dëshmitar i kësaj ngjarjeje është shoku i vajzës dhe prokurori është bazuar vetëm në dëshmitë e tij”.

Por ekspertët thonë, se djali ka dalë nga ana e shoferit sepse nga ajo anë xhami ishte hapur, ndërsa ana e pasagjerit ishte i mbyllur. Kjo vërtetohet edhe nga fotot e makinës pas aksidentit.

“Mjeku ligjor i Sarandës ka dhënë një vlerësim të përciptë. Një pijanec, një njeri me vese dhe po ka kundërshtime të ankohet për mua. Mjekoligjori thotë që është mbytur me ujë. Zotëri ju duhet të pyesni mjekë ekspertë kriminalistë që në rast të tillë bëhen disa ekzaminime mjekësore”, tha avokati.

Detaje të tjera janë zhdukja e dëshmitarëve, që kanë qenë aty pas aksidentit. Dy policët e komisariatit Himarë nuk janë thirrur në gjyq për zbardhjen e ngjarjes.

“Nuk dimë dy policët e parë që kanë ardhur në vendngjarje se në dokumente thuhet që kanë ardhur dy policë nga Komisariati i Himarës. Nuk ka asgjë. Të tëra janë mbuluar, të tërave u është vënë kapak. Kjo është fatkeqësia më e madhe në këtë vend, që nuk duan të zbulojnë krimin”, u shpreh avokati.

Nëna e vajzës së ndjerë ka pyetur në komisariatin e Policisë Himarë në lidhje me emrat e policëve. Por ata nuk figurojnë aty.

Mamaja e vajzës – ky Alban Gjiknuri është polic këtu tek juve?

Shefi i Komisariatit – Alban Gjiknuri?!…Jo, s’ka Alban Gjiknuri këtu.

Mamaja e vajzës – Po ky Lavdim Goxhaj?

Shefi i Komisariatit – Jo!

Mamaja e vajzës – Këtu thotë “ishte polic në komisariatin Himarë, Lavdim Goxhaj”…

Shefi i Komisariatit – Jo, s’është këtu…

Por edhe një tjetër dëshmitar është zhdukur nga dosja.

“Në sallë ka ardhur vetëm Robert Dhuli. Nuk ka bërë asnjë lloj hetimi të mirëfilltë. Kam kërkuar që të bëhet eksperimentimi i ngjarjes në vendin e ngjarjes. Të vinte personi dhe do na shpjegonte ai nga erdhi makina, cila qe arsyeja që ta në kanal”, tha avokati.

“Ana do që të prehet e qetë. Vajta 4 vjet që luftoj dhe nuk po bëj dot asgjë, jam lodhur me këtë gjë. Jam nënë dhe kush është nënë më kupton shumë mirë. Vetëm drejtësi kërkoj. 17 vjeçe, engjëll, nuk di më shumë, nuk di ç’të them më shumë”, u shpreh e ëma e së ndjerës./tvklan.al

© Panorama.al