E kapi ‘mat’ droni duke ujitur bimët narkotike, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari dhe bashkëpunëtori i tij

Dy persona u arrestuan nga policia e Krujës, në operacionin e koduar “Bruz Zalli”.

Nga droni i policisë, 45-vjeçari u kap mat duke ujitur bimët e dyshuara narkotike. Në pranga ra edhe një 39-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 45-vjeçarit.

Gjatë kontrollit sekuestrohet edhe një sasi lënde narkotike kanabis, në formë boçesh.

“Në vijim të kontrollit masiv të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në territotin e fshatit Rranze, kishte të kultivuara bimë narkotike, shërbimet e Policisë Krujë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Bruz Zalli”, duke përdorur edhe dronë për kontrollin e territorit.

Si rezultat i monitorimit me dron, në zonën e quajtur “Bruz Zall”, është evidentuar duke ujitur bimët e dyshuara narkotike, shtetasi S. H., i cili sapo ka parë dronin ka tentuar të fshihet, por është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një qese me lëndë narkotike në formë boçesh, që ia kishte dhënë shtetasi N. A., banues në fshatin Rranze, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestuan në flagrancë shtetasit S. H., 45 vjeç dhe N. A., 39 vjeç, banues në Rranze, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

© Panorama.al