EMRAT/ Kush janë dy anëtarët e bandës së Moisi Habilajt që u arrestuan sot në Itali, dënimet ndaj tyre të formës së prerë

Dy shqiptarë të akuzuar si anëtarë të bandës së Moisi Habilajt, kushëriri i ish-ministrit shqiptar Saimir Tahiri, janë dënuar nga gjykata italiane me vendim të formës së prerë.

Nezar Seiti
Nezar Seiti

Ata kanë përfunduar sot në pranga në një operacion të autoriteteve italiane të koduar “Rosa dei Venti 2”. Në këtë operacion janë ekzekutuar pesë urdhërarreste për pesë persona, dy shqiptarët Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj, si dhe tre italianët Angelo Busacca, Antonino Riela, Vincenzo Spampinato.

Urdhërarrestet ishin lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Katanias që kishte ngritur ndaj tyre akuzat për përfshirje në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake.

Hetimet për një orgaizatë kriminale

Ky operacion i radhës është rezultati i hetimeve komplekse, të kryera nga autorietetet e Katanias, në lidhje me një organizatë kriminale, të përbërë nga persona nga Katania dhe shqiptarë.

Sipas hetimeve, shqiptarët ishin përgjegjës për furnizimin e paligjshëm me substanca narkotike si marjuana ,të importuara nga Shqiperia dhe me destinacion Katanian, Sirakuza dhe Raguza.

Dënimet për të pandehurit e arrestuar më 3 qershor në operacionin “Rosa dei Venti” janë definitive, shkruajnë mediat italiane, ku të pestë ata duhet të vuajnë dënimin me 40 vite burg në total.

Në tetor të vitit 2017, Policia e Katanias goditi një organizatë italo-shqiptare, bandën e Moisi Habilajt.

Nezar Seiti u ekstradua në Itali mes polemikave, pasi u kap nga policia shqiptare në Vlorë.

© Panorama.al