Fotot nga paparazzi/ Kush janë VIP-at shqiptarë që kanë braktisur makinat për biçikletat

Shpesh jemi mësuar që politikanët dhe personazhet publike t’i shohim me makina luksoze, por nuk është ky rasti i tre personazheve të fundit të kapur nga paparazzi i “Panorama Plus”.

Të veshur sportivë dhe duke i dhënë biçikletës, kështu janë shfaqur në rrugët e kryeqytetit aktori i madh Timo Flloko, ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, dhe ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni.

Nuk ka rëndësi se sa vjeç je, me siguri Timo Fllokon e ke ndjekur në të paktën një film shqiptar. Ikona e kinematografisë shqiptare mbetet ndër emrat më të dashur për publikun shqiptar, pavarësisht se brezat kalojnë. Ndonëse i ka kapur të 70-at e tij, aktori shfaqet gjithmonë sportiv dhe energjik. Por me fotot e fundit, ai konfirmon edhe një herë prakticitetin e tij. Aktori i dashur për publikun është fotografuar ditët e fundit në qendër të Tiranës, teksa shëtit me një biçikletë, që duhet thënë është disi ‘old-shcool’. Megjithatë, Timo ka zgjedhur të bëjë një ndërthurje të stilit sportiv me atë serioz, duke u veshur me atlete, xhins dhe një këmishë të bardhë.

Ndoshta është rritja e çmimit të naftës ajo që e ka detyruar edhe Ralf Gjonin të marrë biçikletën apo dëshira për të ushtruar sport edhe në të përditshmen e tij, duke mbajtur veten në formë. Ndoshta trafiku i rënduar i Tiranës e ka shtyrë ish-deputetin, ashtu si Timon, që të heqë dorë nga makina dhe të lëvizë në Tiranë me biçikletë. I veshur me një palë xhins dhe një bluzë sportive, Ralfi është fotografuar mbi biçikletë teksa mban edhe një çantë të madhe shpine.

Biçikleta duket se është bërë aleatja më e mirë për të ruajtur formën fizike, duke e përdorur në rutinën e tij në vend të përdorimit të makinës, edhe për ishministrin Ylli Manjani. Në të përditshmen e tij, sporti ishte një mënyrë jetese. Për arsyet e mësipërme ose për ndonjë tjetër, zgjedhja e Manjanit është sa praktike, aq edhe ekonomike. I veshur sport dhe me syze dielli e kapele, ish-ministri nuk ka mundur dot t’i shpëtojë fokusit të paparazzit tonë, që na sjell një anë tjetër, atë realin në të përditshmen e tij.

© Panorama.al