Histori dashurie apo strategji marketingu, si funksionon ‘fabrika e milionave’ Bora-Donald/ Formula “sekrete” që po gjeneron të ardhura marramendëse

Bora Zemani dhe Donald Veshaj janë çifti i momentit, por ndonëse të gjitha detajet flasin për ribashkimin e tyre, duket se ata vijojnë ta mbajnë “sekret”. Vëmendja e madhe ndaj kësaj dysheje, i ka shndërruar personazhet në milionerë. Duke luajtur lojën e një telenovele, paratë që ky çift ka fituar muajt e fundit, kapin shifrat e çmendura, duke i bërë protagonistët fillimisht milionerë, pastaj në dy të dashuruar.

Për publikun është vetëm një lidhje e mediatizuar, e ndërsa për ta, një industri që sjell para çdo ditë. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nga ana e dyshes por fotot e publikuara teksa bëjnë pazar së bashku në dyqanet e Italisë dhe mesazhet e koduara mes njëritjetrit e vërtetojnë ribashkimin e tyre. Por duket se ribashkimi i tyre është një sekret për të gjithë bashkëpunëtorët e tyre.

Të shumtë janë ata që janë në dijeni të lëvizjeve të çiftit, të planeve të tyre, madje edhe të idesë për t’iu rikthyer bashkëjetesës, por duket se të gjithë “i tremben” të zbulojnë detaje të reja. Megjithatë, mund të themi se kjo histori jo vetëm që i ka shndërruar në kryefjalën e mediave, por edhe i ka pasuruar dy protagonistët. Kujtojmë se Donaldi ka një emision të tijin, së bashku me të vëllanë, Romeon, ku kryesisht bëhen batuta për këtë çift, duke rikthyer kështu vëmendjen e gjithë fansave.

“Më lër të flas” është produksioni i djemve, që nuk lë asnjë rast pa ngacmuar Donaldin në lidhje me Borën dhe përgjigjja e këtij të fundit është gjithnjë një buzëqeshje, duke mos pranuar apo mohuar asgjë. Taktikë kjo për të mbajtur publikun sa më shumë në pezull për atë që e kemi konsideruar çiftin e vitit. Por veç emisionit, Donaldi ka një tarifë deri në 8 mijë euro për koncertet e tij live, së bashku me Romeon dhe Elgit Dodën. E njëjta skenë përsëritet në koncert, teksa Donaldi nuk heziton t’ia përmend emrin Borës për të elektrizuar të pranishmit. Duhet thënë se edhe për marketingun online, aktori i humorit është bërë ndër më të paguarit, ku kompanitë qëndrojnë ‘në radhë’ dhe paguajnë mijëra euro për një postim të tijin.

Duket se veç dhuratave, Donaldi merr deri në 3 mijë euro për një “story” në “Instagram”-in e tij. Jo më pak e suksesshme ka dalë edhe Bora nga kjo histori, ku pasi “Instagram”-i i saj “u çmend” dhe kapërceu shifrat e 1 milionëve, moderatorja është më e paguara për reklamimin në rrjetet sociale. Kompani të ndryshme kërkojnë Borën si imazh të tyre në “Instagram” për një vit të plotë, duke i ofruar shuma të majme për reklamime online. Ndërkohë të shumta kanë qenë edhe dhurata luksoze për të nga fushatat publicitare që ajo ka realizuar. Bëhet me dije se shumë ftesa i kanë ardhur artistes për të qenë pjesë e muzikës dhe e kinematografisë, por Bora është ende në shqyrtim të ofertave.

Nga ajo çfarë kemi mundur të mësojmë, moderatores i është kërkuar edhe të ndryshojë shtëpi mediatike, por sezoni i ardhshëm do ta gjejë përsëri në Top, vetëm se këtë herë jo te “Përputhen”, por te “Dancing with the stars”, ku përballë saj do të jetë Donaldi. Ndonëse produksioni është ende në bisedime për të vendosur kastën pjesëmarrëse, e sigurt që nëse Donaldi e pranon ftesën, nuk do të mungojnë batutat dhe situatat që do të krijohen përgjatë spektaklit. Kjo sepse që pas ribashkimit të tyre, dy të rinjtë kanë vendosur të “luajnë” me ndjekësit e tyre, duke mos pranuar rikthimin. Çifti mund të mos e kenë follow njëri-tjetrin, por ama i dërgojnë sinjale.

Së fundmi Bora ka postuar disa foto teksa shfaqet brenda makinës dhe shkruan: “Erdhi vera apo akoma?”. Mirëpo, pas kësaj ka ardhur dhe ‘përgjigjja’ e Donaldit teksa në “InstaStory”-n e tij ai ka postuar një foto ku ndodhet në një ballkon dhe mbi të shkruan: “Ja se erdhi, po parkon”. Prej javësh, vëmendja për dyshen është shtuar dhe kjo pasi çifti u kap mat në të paktën dy raste teksa gjendeshin së bashku në Itali.

Duket se jo të gjithë e kanë pritur mirë ribashkimin e tyre. Ata kanë zgjedhur të shijojnë në fshehtësi rikthimin në krahët e njëritjetrit, por nuk u kanë shpëtuar syve të njerëzve edhe jashtë Shqipërisë, ku janë fotografuar bashkë. Ndërkaq, Gjiko, teksa ishte i ftuar në puntatën e fundit të “Më lër të flas” në përfundim të emisionit, konfirmoi edhe ribashkimin e Donaldit dhe Borës. Ndërsa po zhvillonin një sfidë me “Freestyle”, në përfundim të lojës Gjiko i drejtohet Donaldit duke i thënë se (ribashkimin me Borën) “e kanë marrë vesh të gjithë”.

“Boll e fshehe, se e kanë marrë vesh të gjithë. Thirre Borën, marr edhe Elitën edhe dalim double date (takim çfit)”, u shpreh Gjiko.

Ndërkohë, pak ditë më parë, aktori ishte edhe në studion e “Përputhen”, duke realizuar një nga skeçet e emisionit, por edhe duke dhënë ‘material’ të ri për ndjekësit e kësaj dysheje. Në promon e puntatës së re të emisionit, i cili do të transmetohet të premten, por është regjistruar ditë më parë, Donaldi shihet në studion e programit të dashurisë duke realizuar një skeç. Donaldi ka improvizuar “Përputhen”, emisionin e dashurisë të moderuar nga Bora Zemani dhe shihet duke e imituar këtë të fundit.

Ndërkohë, vetë moderatorja në një nga rrëfimet e saj të pakta, ka folur për herë të parë për këtë histori. Ndonëse ka preferuar që të mos bëjë shumë reagime në lidhje me jetën e saj private dhe romancën me Donaldin, së fundmi ajo ka zhvilluar një intervistë të shkurtër në emisionin “Përputhen”, përballë opinionistit Arjan Konomi. Gjatë rrëfimit të saj, ajo foli edhe për përkushtimin e saj ndaj punës, por edhe jetën e saj private, duke e cilësuar këtë vit si më të vështirin në aspektin personal.

“Shumë probleme tona personale duhet t’i lëmë mënjanë dhe të vazhdojmë punën tonë në televizion. Për mua është shumë e rëndësishme puna, megjithatë ndonjëherë më duhet të heq këtë vëmendjen maksimale ndaj punës vetëm për Arborin, por për gjërat e tjera gjithmonë jam munduar të jem në fokusin kryesor te puna ime. Pavarësisht se ky vit, nëse do bëja një dallim nga viti i shkuar, për mua nuk ka qenë edhe shumë i thjeshtë edhe personalisht, kam qenë shumë e ngarkuar. Edhe nga shëndeti fizik, në dhjetor për shembull erdha një ditë pasi isha operuar”, tha moderatorja.

Megjithëse nuk dha shumë detaje, Bora Zemani foli edhe për mënyrën se si e ka kaluar periudhën e ndarjes dhe tradhtisë së aktorit Donald Veshaj. E pyetur nëse ka pasur ndonjë moment gjatë emisionit që i është kujtuar situata e saj, Bora tha:

“Edhe ka pasur… edhe ka pasur. Më duhet të përmendem në momente të caktuar, por gjithmonë është ajo drita e kuqe që them ‘ku është dhe aty duhet të fokusohesh”.

Bora Zemani dhe Donald Veshaj  kanë zgjedhur të shijojnë në fshehtësi rikthimin në krahët e njëri-tjetrit, por nuk u kanë shpëtuar syve të njerëzve dhe jashtë Shqipërisë ku janë fotografuar bashkë. Në postimin e fundit që Bora ndau në “Instagram”, njerëzit shpërthyen në komente negative. Pas kritikave të pafundme, moderatorja ka postuar sot një video në “TikTok” ku ka përdorur një ‘sound’ që thotë se:

“Nëse ti nuk mund të thuash diçka të bukur, atëherë mos thuaj gjë fare”.

Mesazhi dukshëm është për kritikuesit dhe ndjekësit e saj e kanë kuptuar këtë gjë. Disa i shkruajnë që mos të ndikohen nga ta: “Askush mos të shajë Borën se është inspirim”. “Mos shiko çfarë thonë njerëzit, jeto jetën si të duash”. “Nuk kanë bërë asgjë në jetë dhe të përmendin ty për pak famë”. “Po të plas ty se çfarë thonë. Qentë le të lehin, karvani ecën para”. Të tjerë nuk e fshehin zhgënjimin: “Vajzë, ti na zhgënjeve”. “Nëse ti nuk mund të thuash asgjë të vërtetë, por vetëm gënjeshtra, atëherë mos thuaj gjë fare”. Ndërkohë, Bora ka fshirë edhe postimin e shumëkomentuar. Shumë njerëz i akuzojnë si ‘manipulues’ që kanë bërë gjithçka për vëmendje. Të tjerë i kërkojnë Borës mos ta falë aktorin, pasi sipas atyre ai e tradhtoi para gjithë Shqipërisë.

Ja disa nga komentet: “Realisht të kam mbështetur dhe të dija më të fortë në karakter dhe jo aq mendjelehtë sa të luajë me ty sa herë t’i dojë qejfi atij. Bile tradhtia publike meritonte pak më shumë të reflektoje se je 30 jo 20″. “E ke dh* gjithë punën nëse i ke dhënë mundësi tjetër. Nuk e meriton se të uli në sy të të gjithëve. Imagjino çfarë bën fshehurazi servili. Nuk ka fytyrë ai, ti meriton më shumë”. “Vazhdo kështu, vetëm të lutem mos e fal tradhtinë sepse ai idiot nuk të meriton ty, as Trixën, sepse të dyjave ju premtoi, të dyjave ju tradhtoi, idioti. Unë besoj në ty e di se ti nuk je një femër e ultë, edhe nuk je pa karakter me i dhënë mundësi atij idioti, edhe bëhu e sinqertë tregoju njerëzve që nuk je me të. Mos i ul vetes vlerat, as karakterin që ke, mendo për familjen tënde, djalin. Se ai tradhtar emër s’ka, edhe mos të lutet me ty ai kur don tradhton kur do të afrohet. Mos e lejooooo se nuk je një femër pa karakter”. “A je kthyer a ahahhahahah, pse e ule veten aq shumë”. Megjithatë, kjo nuk e venitur famën, suksesin dhe pasurinë që dy të rinjtë po përfitojnë nga kjo histori dashurie, që me gjasa do të na mbajë mbërthyer edhe sezonin e ri televiziv.

© Panorama.al