I arrestuar për drogë para vrasjes së efektivit, prokuroria: Aldi Rama u keqtrajtua në Komisariat! Merret i pandehur polici

Pas më shumë se 1 viti hetime, Prokuroria e Lezhës ka arritur të provojë se 21- vjeçari Aldi Rama, i cili ekzekutoi oficerin e krimeve në Policinë e Lezhës Saimir Hoxha dhe më pas u vetëvra, është keqtrajtuar nga forcat e rendit.

aldi rama

I riu përfundoi në pranga në vitin 2019, pasi ishte kapur me lëndë narkotike dhe një armë të ftohtë, ndërsa ndaj tij rezulton edhe një denoncim për dhunë ndaj një vajze.

Në lidhje me këtë çështje, organi i akuzës ka mbyllur hetimet, duke marrë të pandehur një efektiv policie me iniciale M. M. Ndaj policit është ngritura akuza “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe dosja penale e hetuar nga prokurori i Lezhës, Françesk Ganaj, brenda pak ditësh do të dërgohet në gjykatë.

Organi i akuzës u vu në lëvizje dhe regjistroi procedim penal, pas kallëzimit të bërë nga 21- vjeçari Aldi Rama, me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë. Në lidhje me rastin u kryen një sërë veprimesh hetimore, por vetëm për njërin nga 3 efektivët e Policisë të kallëzuar nga i riu është arritur të provohet se ka konsumuar elemente të veprës penale, për të cilën është ngritur dhe akuza.

VRASJA E EFEKTIVIT

Më 28 shtator të vitit 2021, Aldi Rama u bë protagonist i një krimi të rëndë, duke ekzekutuar me armë zjarri oficerin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha, teksa ky i fundit bashkë me dy kolegë të tij po ktheheshin nga një aksion antikanabis në Ishull-Lezhë. Oficerët e Policisë ndaluan për kontroll makinën, në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes, i riu arriti të largohet dhe gjatë operacionit policor për kapjen e tij, qëlloi veten me pistolete, duke mbetur i plagosur rëndë dhe një ditë më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mllefi qe kishte krijuar ndaj uniformave blu duket se i nxiti të riun të ndërmarrë këtë akt të rëndë me viktimë një oficer policie. Më shumë se dy muaj pas krimit të rëndë, doli në dritë fakti se nënkomisari Saimir Hoxha të jetë një ndër personat që ka përgatitur dhe firmosur procesverbalin e arrestit për Aldi Ramën, në njërin nga dy rastet që ai është prangosur.

Procesverbali i urdhër-arrestit për Aldi Ramen, që mban edhe firmën e oficerit Saimir Hoxha, i është bashkuar procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria e Lezhës, pas kallëzimit të bërë nga 21- vjeçari për dhunë dhe keqtrajtim nga uniformat blu. Gjithashtu, muaj më parë është bërë edhe ballafaqimi i të riut të ndjerë me tre efektivët e Policisë, të cilët pretendonte se e kishin dhunuar. e.h

© Panorama.al