Ishulli i Sazanit vijon të digjet, rrezik për shpërthimin e municioneve. Emergjente ndërhyrja nga ajri

Që prej mesditës së kësaj të diele flakët kanë përfshirë ishullin e Sazanit, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke djegur masive me pisha. Por ajo që e ndërlikon akoma më shumë situatën është frika e shpërthimeve të municioneve që mund të ndodhen të groposura në ishull.

Shuarja e zjarrit duket e pamundur, edhe pse Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit ndërhynë për të lokalizuar vatrën. Është emergjente nevoja e ndërhrjes nga ajri për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes teksa bën me dije se që prej mesditës 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull, evidenton dhe rrezikun e shpërthimit të municioneve.

“Si pasojë e riaktivizimit të vatrës së zjarrit në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull.

Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet edhe gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që janë marrë masa për zëvendësimin dhe shtimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

© Panorama.al