Landi i “West Side Family” nuk e ndal vrapin/ Këngëtari nuk e ndryshon rutinën e sportit nga Liqeni

Do të ishte e pamundur ta imagjinonim Landin jashtë këtij formati. Pjesëtari i “West Side Family” ka treguar se është i apasionuar pas sporteve. E për ta kuptuar këtë, mjafton t’i hedhësh një sy fizikut të tij. Gjithnjë në “top” formë, Landi ka folur publikisht për pasionin e tij për palestrën, por edhe jetën e shëndetshme.

Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, teksa paparaci ynë e ka fotografuar Landin në rutinën e tij më të shëndetshme. Pamjet vijnë nga hyrje e Liqenit Artificial, ku duket se Landi sapo ka përfunduar vrapin. I veshur sportiv, me kufje në vesh, artisti duket i pashqetësuar nga shkrepja, teksa vijon të mos e ngadalësojë hapin, edhe pse xhiroja e liqenit ka përfunduar.

Por teksa kjo pamje është versioni i Landit sportiv, shpesh e kemi parë edhe të veshur serioz, duke u përshtatur më së miri edhe në atë “lëkurë”. Sa i përket karrierës si këngëtar, duket se ky është momenti për një rikthim me grupin shumë të dashur.

“West Side Family” kanë risjellë për publikun këngën e njohur “Lule t’bukra ka Tirona”.

Të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Landi dhe Miri pak kohë më parë kanë treguar si lindi ky projekt. Ata kanë theksuar se grupi i tyre tashmë ka për qëllim të ruajnë standardin e Dr. Florit.

“Ka tre vjet ky projekt, po shyqyr që nuk e bëmë, se erdhi pandemia. Çdo gjë në këtë projekt është i me 2 kuptime. Jo vetëm lulet, po edhe vajzat e bukura. Erdhi pranvera, po edhe vajzat vishen më lehtshëm. Ne tashmë kemi atë standardin që na ka lënë Flori dhe ne duhet të bëjmë o atë, o më mirë”, u shpreh Miri.

“Ne mundohemi që në fillimet tona, që kur krijojmë diçka të bukur, të mbajmë suksesin. Ne gjithmonë i kemi kënduar së bukurës, kemi goditur fenomene. Edhe kjo falë talentit të Dr. Florit. Ne kemi bërë një baladë ndryshe, po nuk u dëgjua shumë, se qëlloi periudha gjatë kohës së tërmetit”, tha Landi.

Ndërsa ditë të lumtura po jeton edhe në jetën private. Prej pak muajsh, ai është bërë baba për herë të parë, me një djalë që e ka quajtur Lukas. Lajmin e dha vetë këngëtari, me një shprehje të famshme nga kënga “Mesazh”.

“Për momentin nuk ndodhem në shtëpi… Lavdi Zotit”, ka shkruar Landi, përkrah fotos ku duket mjaft i emocionuar. Ky lajm erdhi shumë i papritur për fansat e tij, sepse Landi nuk kishte treguar më herët nëse ishte në pritje të një fëmije apo jo.

Për më tepër nuk kishte asnjë informacion për partneren e tij. Vëllai i Landit ka publikuar foton e këngëtarit dhe ka zbuluar cila është partnerja e tij. Ajo quhet Eva Ago dhe nuk është e njohur për publikun.

Kjo e fundit, po ashtu ka bërë një postim në “Facebook”, ku shprehet e emocionuar për ardhjen në jetë të djalit të tyre. Ajo ka zbuluar se vogëlushin kanë vendosur ta pagëzojnë me emrin Lukas. “Sot mëngjesi erdhi bashkë me ty Lukas, biri i vogël. Siç solle dritën këtë mëngjes, urojmë për ty jetë të gjatë dhe Zoti të dhuroftë gjithmonë lumturinë e botës që ne të gëzojmë për ty sa herë të kemi frymë. Landi Hysi dhe Lukas Hysi iu kam gjithçka”, shkruante Eva.

© Panorama.al