Nuk deklaruan 260 milionë lekë të reja, prokuroria çon në gjyq administratorin dhe ish-aksionerët e një shoqërie që akuzohen për ‘fshehje e të ardhurave’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë njoftoi se ka përfundiar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas, administratorin dhe ish aksionerët e Shoqërisë ‘Neku’ Sh.p.k, të akuzuar për veprën penale të ‘Fshehjes së të Ardhurave’.

Prokuroria-e-Tiranes

Prokuroria e kishte regjistruar procedimin penal nr.8822 në vitin 2021, për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.

“Nga veprimet hetimore paraprake të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka rezultuar e provuar që subjekti “Neku’’ Sh.p.k. me Nipt L01405006G, me administrator shtetasin A. K., si dhe ish aksionerët e kësaj shoqërie shtetasit: Rr. D., A. H. dhe R. L., me aktivitet “Tregëtia me shumicë e mineraleve metalike dhe e metaleve”, me adresë ushtrimi të aktiviteti Rruga Pazari, Terminali Bulqizë, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Fshehjes së të Ardhurave” të parashikuar nga neni 180 të Kodit Penal.

Objekt i hetimit janë veprimtaria e subjektit “Neku’’ Sh.p.k. si edhe kalimi i kuotave të kapitaleve të kësaj shoqërie për një shumë totale prej mbi 260 milionë lekë të reja duke mos i deklaruar dhe shmangur detyrimet ndaj organeve tatimore”, thote prokuroria.

Për këtë arsye nga Prokurori Bledar Valikaj janë marrë të pandehur subjekti ekonomik dhe shtetasit e mësipërm për veprën penale të “Fshehjes së të Ardhurave” të parashikuar nga Neni 180/3 i Kodit Penal dhe çështja është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

© Panorama.al