Odeta e Bujar Nishani, dashuria e pedagogut dhe studentes

Nga Orjona TRESA & Ermira ISUFAJ

Durrësi, qyteti romantik… ka pagëzuar shumë dashuri pasionante, nga ato tipiket të bukura dhe të paharrueshme, e që ka të ngjarë të mos ketë aspak tisin e një raporti protokollar, protagonistë të së cilës janë dy njerëz të rëndësishëm. Për herë të parë, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani dhe bashkëshortja e tij, Odeta, tregojnë për revistën “Psikologji” të parrëfyerat e jetës së tyre familjare dhe personale. Duke nisur me fillimet e njohjes, me statuset respektive, ai si pedagog në ish-Shkollën e Bashkuar Ushtarake dhe ajo studente në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Një ndjenjë që u ngjiz në themele të forta familjare e që shërbeu si shkëndijë për të formuar një marrëdhënie të konsoliduar mes dy individëve që i kishin të paracaktuara qëllimet e tyre në jetë. Tek familja, ai sheh veten të arrirë, sigurinë e forcën për të ardhmen. Ndërsa tek gruaja ka gjetur njeriun e jetës, modelin e nënvetëdijes, duke mishëruar njëherësh edhe tiparet e nënës së tij.

bujar-nishani-1Një pasion i shndërruar në përkushtim dhe një marrëdhënie unike në llojin e saj. Modeli që Bujari dhe Odeta ofrojnë është sa origjinal, aq edhe i natyrshëm në raport me angazhimet profesionale dhe kohën që kanë në dispozicion secili. Për zonjën Nishani, tek bashkëshorti ajo ka ridimensionuar në kohë, modelin e mashkullit që i qëndron në krah, të njeriut që sakrifikon për fëmijët dhe problemet që u ka sjellë jeta. Brenda komoditetit të hapësirës familjare, ajo zbulon edhe një ministër jashtë kostumit të “drejtësisë”, i vëmendshëm ndaj detajeve, dhuratave simbolike që shpeshherë janë lule ose parfume e disa intimitete të vogla që janë në funksion të harmonisë në çift. Në udhëtimin e bashkëjetesës 20-vjeçare, marrëdhënien e tyre e përforcuan edhe dy fëmijët, djali Ersi dhe vajza Fiona. Ardhja në jetë e tyre, jo vetëm e konsolidoi ndjenjën mes dy partnerëve, por u la të kuptojnë që në këto role, si prindër, të ndiheshin sa krenarë, aq edhe të përkëdhelur nga fati.

Bujar Nishani: Gruaja… Orakulli më i vërtetë, ku sheh perspektivën e familjes tënde

bujar-nishani-3

Në formë postulati: ç’është gruaja për ju?

Pasqyra ku ti mund të shohësh drejtpërdrejt dhe pa ngjyrosje dimensionin tënd të plotë. Orakulli më i vërtetë, ku mund të shohësh perspektivën e familjes.

Çfarë është ai detaj i veçantë i një gruaje që ju bën të tërhiqeni drejt saj? Ç’ju tërhoqi te zonja juaj në momentin e parë?

Fisnikëria. Në rastin tim besoj se ishte bindja që kishim të njëjtin “kut” për të përcaktuar se çfarë duhet të kërkonim dhe të arrinim në “këtë botë”. -Shpesh, në nënvetëdijen e një burri ekziston një model për gruan e jetës. Ndoshta herët, në adoleshencë apo në rininë e parë… Po ju, a kishit një model të paramenduar? Konkretisht, zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo, modeli u fashit? Për të qenë i sinqertë nuk kam ëndërruar shumë për këtë çështje. Besoj se në adoleshencë apo në rininë e parë çdo mashkull tërhiqet thjesht dhe vetëm nga bukuria natyrale e femrës. Në rastin tim besoj se gjeta modelin e nënvetëdijes. Kjo sot më rezulton e vërtetë dhe më bën që të besoj tek ekzistenca e nënvetëdijes.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë (kompleksi i Edipit). Dëshironi ta kundërshtoni?

Do të ishte një ndërmarrje e vështirë për të debatuar me “kompleksin e Edipit”. Padyshim që në shumë aspekte, kryesisht ato që kanë të bëjnë në raportin me familjen, kërkon të shohësh tek gruaja tipare të nënës tënde.

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Sipas meje, pasioni është një ndjenjë që nuk zgjat shumë. Në një marrëdhënie të vërtetë ai kthehet në përkushtim. Pikërisht kjo marrëdhënie varet se sa është i përkushtuar secili ndaj elementëve të kësaj marrëdhënie. Nëse do t’i referohem përvojës sime; fakti se në perceptimin tim marrëdhënia me time shoqe më duket se ka ekzistuar gjithmonë dhe se si pasurinë më të madhe kemi familjen tonë, duket se përkushtimi është absolut.

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të kenë natyrë, karaktere të njëjta? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Nuk besoj se teoria e të kundërtave që tërhiqen mund të pranohet nga dimensioni i përmbajtjes së qenies njerëzore. Ajo që unë mendoj se ndikon tek bashkëjetesa ka të bëjë me përputhshmërinë e ambicieve të njëjta për jetën. Me përputhshmërinë e parimeve mbi të cilat ngrihet e tërë dinamika e realizimit të këtyre ambicieve.

Gruas, në të gjitha kohët, i kanë veshur imazhin e qenies së mistershme. A ia keni dalë ju ta njihni gruan “seksin tjetër” në përgjithësi? A ndjeni momente moskuptimi në mënyrën se si funksionon gruaja juaj?

Kam mendimin se kushdo që e ka trajtuar gruan si një qenie të mistershme, e ka pasur problemin tek vetja. Ose e ka injoruar gruan e tij, ose ka qenë i paaftë të ndërtojë marrëdhënien që duhet të kesh me gruan. Personalisht nuk e njoh veten si të paaftë dhe nga ana tjetër, të injorosh gruan më duket sjellja më naive dhe larg evolucionit që ka pësuar qenia njerëzore.

Si i keni ndarë rolet në shtëpi ju dhe zonja? Sa tradicional është rasti juaj?

Natyrisht, ka doza tradicionalizmi, por kjo e kushtëzuar nga tiparet që ndikojnë sjelljen e mashkullit dhe atë të femrës. Por në tërësi nuk kemi rregulla strikte në role. Angazhimi ynë vjen krejt natyral dhe sipas disponibilitetit në raport me kohën qe kemi në dispozicion apo me dëshira specifika që ka secili në një moment të caktuar.

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Me siguri gruaja juaj ka krijuar mjedisin e nevojshëm që ju të ndiheni i plotësuar në karrierën profesionale.

Personalisht kam një eksperiencë shumë të konsoliduar që t’i besoj tërësisht kësaj klisheje.

Megjithatë, një burrë përballë sakrificave të gruas ndihet i përkëdhelur, apo e sheh sakrificën si detyrë të pashmangshme bashkëshortore?

Do ishte naivitet të shfrytëzoje përkushtimin e gruas për t’u përkëdhelur. Kjo do të sillte zhgënjim tek gruaja dhe do t’ia “vakte” predispozitën për t’iu përkushtuar burrit, që do të reflektohej tek funksionimi i tërë familjes mandej.

Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Nuk besoj se ka secili rast ndonjë ndikim specifik. Besoj se edhe kur nuk ka përkim profesional, diskutimet e përbashkëta burrë-grua për punën janë të domosdoshme. Jam i bindur se burri tek gruaja apo anasjelltas, ndjen nevojën e “shkarkimit” të presionit që vjen nga ngarkesa e punës dhe beson tërësisht në marrjen e reagimit nga personi me besueshmërinë maksimale.

Sa i vëmendshëm jeni ndaj vogëlimave, të cilat rëndom gratë i vlerësojnë? Për shembull, a bëni dhurata? A i respektoni datat e rëndësishme, a kujtoheni për to?

Përpiqem. Por mund ta pranoj se nuk jam shumë strikt në këto.

Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…

Besoj se është më shumë një slogan, sesa një realitet. Megjithatë, ajo që besoj është fakti se gjithnjë e më shumë femra po arrin të realizohet me të gjithë dimensionin që ka njeriu në shoqërinë që menaxhon.

bujar-nishani-2

Odeta Nishani: Burri ridimensionohet në sytë e gruas …kur bëhet babai i fëmijëve të saj

Në formë postulati: ç’është burri për ju?

S’di në mund ta përmbledh qartë, por do të thosha se burri është njeriu që më mbështet, që ma bën jetën të qetë, të sigurt dhe të gëzuar.

Si duhet të ishte një burrë që të tërhiqte vëmendjen tuaj?

Si për të gjitha vajzat, ëndrrat apo “kriteret” për partnerin e ardhshëm kanë qenë të guximshme (në fakt s’më kujtohen dhe aq mirë pas kaq vitesh!?). Ndoshta dikë të gjatë, elegant, me sy të errët ose blu.

Shpesh, në nënvetëdijen e një njeriu ekziston një model për partnerin e jetës. Po ju? Zgjedhja juaj kishte të bënte me përmbushjen në realitet të modelit të nënvetëdijes? Apo, modeli u fashit?

Jo, modeli nuk u fashit, sigurisht, ndryshe nuk do kishim qenë bashkë kaq gjatë. Por si ndodh rëndom në jetë, ai vetëm u rimodelua pak, duke ruajtur esencën e domosdoshme që më bëri t’i besoj këtij njeriu jetën time dhe të fëmijëve tanë.

Për të qëndruar edhe pak te modeli: djemtë kërkojnë tiparet e nënave te gratë, ashtu si vajzat kërkojnë figurën e baballarëve (pak a shumë). Dëshironi ta kundërshtoni? E kam fjalën për rastin tuaj?

S’e kam parë asnjëherë në atë këndvështrim, s’e imagjinoj dot madje, që për shembull djali të shohë partneren e ardhshme sipas atij modeli, kur nëna është një figurë e dhembshur dhe e shenjtë…

Çfarë vjen pas pasionit në një marrëdhënie burrë-grua? Sa gjatë reziston një marrëdhënie? Nga se varet jetëgjatësia e saj? Ç’ofron përvoja juaj?

Pas pasionit mund të vijë asgjëja dhe boshllëku, por pas pasionit mund të vijë dhe dashuria e thellë, ajo që të lidh fort me një njeri. Pikërisht kjo përcakton sa gjatë reziston një marrëdhënie, se ç’mbetet pas fashitjes së ndjenjës së parë, më sipërfaqësores, më instiktives. Pikërisht nga përvoja ime mendoj se marrëdhënia mund të ketë jetëgjatësi kur në të s’ka pabarazi, interesa, paragjykime…

Që një burrë e një grua të rrinë bashkë, duhet të jenë të njëjtë? Apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?

Në fakt, unë besoj tek ajo teori. Mendoj se kjo shmang monotoninë në një marrëdhënie. Por si çdo rregull që ka dhe përjashtime, kam parë dhe shumë çifte që jetëgjatësinë e lidhjes ia detyrojnë dhe preferencave e këndvështrimeve të përbashkëta.

Mbiemrin tuaj?

Jo, jo, të bashkëshortit, zgjedhjen tradicionale.

A ndryshon burri në këndvështrimin e gruas pasi ai është bërë babai i fëmijëve të saj?

Kjo varet sa nga objekti (burri), aq edhe nga subjekti (gruaja) që bën rivlerësimin, por përgjithësisht mendoj se burri ridimensionohet e plotësohet në sytë e një femre kur bëhet babai i fëmijëve të saj, dhe sidomos kur e luan në lartësinë e duhur këtë rol në familje.

Si janë rolet që luani në shtëpi ju dhe burri juaj? Sa tradicional është rasti juaj?

Për vetë angazhimet e rëndësishme politike e shtetërore të Bujarit, të paktën në disa periudha kohore, prania e tij fizike në familje nuk ka qenë ndoshta siç do ta dëshiroja… Por sigurisht prania shpirtërore, përgjegjësia, përkujdesja kanë qenë maksimale. Ky më duket rasti tradicional, të paktën për shqiptarët.

Kujt i takon sakrifica në një familje? Burrit apo gruas?

Eh, kjo përsëri varet se ç’parakuptoni ju me “sakrificë”… Nëse është diçka që ngrihet mbi interesin e tyre individual për mbarëvajtjen e familjes, mendoj që afrohet nga detyra. Gruaja ndoshta sakrifikon deri diku për fëmijët, por jo vetëm ajo… Çdo individ, pavarësisht nga seksi, por vetëm nga shkalla e dashurisë dhe e përgjegjshmërisë, sakrifikon diçka nga vetja, nga koha, nga karriera, nga miqtë…

Klisheja thotë: gruaja sakrifikon për burrin. Në fakt, rezulton se ju keni më impenjime profesionale. A ka sakrifikuar Bujari për ju, dhe ku konkretisht? Çfarë rolesh ka marrë përsipër?

Sigurisht, ka sakrifikuar vite më parë kur unë kam pasur më shumë impenjime në punë dhe Bujari më pak (në vitin 1997, kur e hoqën nga Ministria e Mbrojtjes). Gjithsesi, unë më shumë, për shkak të pozicionit të tij. Mendoj se dikush në familje duhet të sakrifikojë për fëmijët dhe problemet e shumta që ka jeta. Nëse askush nuk merret me “detyrat” e shtëpisë, mendoj që familja nuk funksionon më.

bujar-nishani-4Çfarë do të thoshit për pikat e përkimit profesional në një çift. Është mirë të jenë, apo përkundrazi diskutimet e punës, sidoqoftë, duhen lënë jashtë derës së shtëpisë?

Nëse janë probleme rutine, që thuhen thjesht për thashethem, mendoj se janë energji dhe kohë e humbur. Nëse janë probleme shqetësuese duhen diskutuar, se ndihesh mirë kur diskuton me një njeri që të kupton dhe mendimi i tij të vlen. Mendoj pastaj se ka dhe probleme pune të një specifike të veçantë që diskutohen me kolegët dhe bashkëpunëtorët.

Sa e vëmendshme jeni ndaj vogëlimave, të cilat shpesh gratë i vlerësojnë? Për shembull, a bëni dhurata? A e keni të nevojshme vëmendjen mashkullore ndaj “vogëlimave”? Pretendoni dhurata nga burri? A i merrni?

Sigurisht këto vogëlima pëlqehen, nga çdo njeri, por me kalimin e kohës dhe me “rritjen” e pasurimin shpirtëror nuk i vë më rëndësi një dhurate materiale sipërfaqësore, por tipareve më thelbësore si dinjiteti dhe qëndrueshmëria e karakterit.

Çfarë dhuroni zakonisht për ditëlindje? Çfarë merrni zakonisht dhuratë?

Dhuroj libra, marr lule, parfume….

Thuhet se… shekulli XXI është shekulli i grave…

Pse jo? Ka aq vend për përmirësim…

Botuar në Nr.43, Psikologjia Dhjetor 2010

© Panorama.al