[ SHIKO SPORT ONLINE ]

Kurrë mos thuaj kurrë. As për PSG dhe padyshim as për Francën. Fjalë të Zinedinë Zidane që për 50 vjetorin e ti ka dhënë një intervistë shumë të gjatë, prej plot 18 faqesh për L’Equipe. 18 faqe që shpjegojnë mirë peshën e yllit francez për vendin e tij.

Ish trajneri i Realit të Madridit bën bilancin e karrierës, duke shpjeguar se pret të marrë drejtimin e Francës, por pa përjashtuar mundësinë që një ditë mund të pranojë dhe stolin e klubit parisian. Mes shumë temave më në fund francezi zbulon dhe prapaskenën e goditjes së famshme me kokë ndaj Materazzit, gjatë finales së Botërorit 2006-të, të humbur përballë Italisë. Ajo në Berlin ishte ndeshja e fundit e Zidane si futbollist dhe përfundoi me përjashtimin e tij nga fusha.

“Për mua në veçanti nuk ishte më e bukura. Gjatë asaj finaleje ndodhën shumë gjëra. Penalltia me panenka, pritja e Buffon në goditjen time me kokë, dhe pastaj për mua u mbyll ashtu, në atë mënyrë për të cilën nuk jam krenar. Atë ditë nëna ime nuk ishte mirë dhe isha i shqetësuar. Pastaj në fushë kishte presion dhe ai fillon të më ngacmojë duke më përmendur motrën.

Ka thënë shpesh që nuk më ka fyer nga nënën, por fyeu motrën time, që në ato momente po e ndihmonte. Kur më fyeu motrën diçka shpërtheu brenda meje dhe ndodhi ajo që ndodhi. Më duhet ta pranoj. Nuk është se jam krenar, por edhe ajo është pjesë e rrugëtimit tim. Në atë moment isha thjesht i brishtë psikologjikisht dhe në momente të tilla mund të bësh gjëra që nuk janë të mira“.

Zidane ndërkohë nuk e fsheh se stoli i kombëtares franceze mbetet një prioritet për të në rolin e trajnerit. “Shpresoj që një ditë të jem trajner i Francës, por se kur kjo nuk varet nga unë. Kam dëshirë që karrierën si trajner ta mbyll me kombëtaren. Si lojtar ka qenë gjëja më e bukur, maksimumi, ndaj është diçka që dua ta bëj.

Pas Deschamps? Tani është një skuadër me objektiva, nëse mundësia do të paraqitet unë do të jem gati. Nuk varet nga unë, por kam shumë dëshirë pasi Franca është gjëja më e bukur“. Ndërkohë është folur shumë edhe për Zidane si trajner i ardhshëm i Psg, edhe pse Presidenti Al Khelaifi së fundmi mohoi të ketë patur kontakte me të.

“Kurrë mos thuaj kurrë, sidomos tani si trajner. Por nuk është një temë aktuale. Si lojtar kisha shumë zgjedhje, si trajner ka shumë më pak. Nëse marr një skuadër e bëj vetëm për të fituar. E them me modesti, dhe kjo është arsyeja që nuk mund të shkoj kudo. Është dhe gjuha, nuk mund të shkoj në Manchester, pasi nuk e zotëroj anglishten.”