Një konflikt mes dy personave ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Ngjarja ka ndodhur në Elbasan, ku sipas policisë, dy të rinjtë janë konfliktuar para disa ditës me njëri-tjetrin, ndërsa sot njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri.

Për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes dhe ka mundur të largohet.

Shqiponjat” dhe forca operacionale të policisë Elbasan kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Elbasan/Informacion paraprak

Në lagjen “Skënderbeg”, në Elbasan, për shkak të një konflikti të çastit, të ndodhur disa ditë më parë, midis shtetasve E. M. dhe A. B., shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në Elbasan, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte duke qarkulluar me automjetin e tij.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Shërbimet e Policisë që ishin në patrullim kanë reaguar mënjeherë dhe janë vënë në ndjekje të autorit, i cili ka hedhur armën e zjarrit gjatë ndjekjes nga Policia dhe ka mundur të largohet.

Forca të shumta të Policisë Elbasan, “Shqiponjat” dhe forca operacionale të DVP Elbasan kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijon veprimet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© Panorama.al