Shpërthimi i fuqishëm në banesën e efektivit të Policisë! Rasti i dytë brenda dy javësh në Shkodër, mister autorët dhe arsyet

Një sasi e konsiderueshme tritoli ka tronditur në orët e para të mëngjesit familjen e efektivit të Policisë vendore të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:25 të mëngjesit në banesën e efektivit të Policisë, Pëllumb Vukaj, kur të gjithë ishin në gjumë. Brenda banesës kanë qenë edhe dy djemtë dhe bashkëshortja e tij.

Shpërthimi i fuqishëm që është dëgjuar në gjithë zonën e fshatit Hot i Ri ku jeton familja e efektivit Vukaj i ka zgjuar menjëherë. Familjarët dhe vetë efektivi nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa banesa dhe automjeti i tij që ndodhej i parkuar në oborr kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Rreth orës 02:25, në fshatin Hot i Ri, Shkodër, pranë murit të banesës së shtetasit, P. V., 49 vjeç, oficer Policie në Komisariatin e Policisë Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse. Për pasojë ka vetëm dëme materiale në banesë, si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij tip ‘Benz’, i parkuar para banesës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, tha Policia.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, efektivi i Policisë Pëllumb Vukaj deklaroi se dyshimet e tij janë se vendosja e tritolit mund të jetë për shkak të detyrës, por nuk ka një ide konkrete se kush mund të jetë. “Nuk e di se kush mund të jenë autorët, sepse nuk kam pasur konflikte ose kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo që dyshoj është se mund të ketë ardhur për shkak të detyrës sime”.

shkoder1

KUSH ËSHTË EFEKTIVI

Pëllumb Vukaj punon prej 27 vitesh në Policinë e Shtetit dhe ndër këto vite ka pasur detyra të ndryshme që nga aksionet e drogës, hetimet e vrasjeve dhe hetime të tjera të ngjarjeve të rënda. Dyshimet e Policisë Vendore të Shkodrës për momentin janë për shkak të hetimeve që Vukaj ka bërë për aksione të ndryshme droge, arrestimin e personave të ndryshëm që janë marrë më kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Gjithsesi po hetohen të gjitha pistat e mundshme. Deri më tani, autori i vendosjes së tritolit nuk është identifikuar dhe as bashkëpunëtorët e tij, sepse mendohet se mund të kenë qenë më shumë se një person.

Autori ka ardhur përmes një gardhi në anë të shtëpisë ku jetonte efektivi Pëllumb Vukaj dhe, pasi ka kapërcyer një rrjetë teli, ka hyrë përmes një toke që të çon te shtëpia e policit dhe aty ka kaluar edhe rrethimin e efektivit, duke vendosur sasinë e tritolit në banesë dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Shtëpia nuk ka kamera sigurie ndërsa janë sekuestruar kamerat e subjekteve të ndryshme, por që janë larg vendit ku ndodhi ngjarja, duke e bërë të vështirë zbulimin e autorëve. Më 20 maj, një tjetër shpërthim u regjistrua në biznesin e një efektivi Policie, ndërsa furgonit të tij iu vu zjarri. Ngjarja ndodhi në fshatin Grudë e Re, ndërsa efektivi Ndrek Rrasa ishte patrullë në qytetin e Shkodrës turn i tretë.

© Panorama.al