“S’i kam borxh askujt”- Familja Aga sulmohet 5 herë brenda muajit me eksploziv, si nisën konfliktet në Britani dhe u transferuan në Durrës

LEONIDHA MUSAJ/ Banesa e familjes Aga, me orgjinë nga Kukësi dhe me banim në zonën e ish-Kënetës në Durrës, është sulmuar me eksploziv.

Mësohet se në harkun e 30 ditëve, familja është sulmuar pesë herë; dy herë është tentuar t’u digjet automjeti me benzinë, ndërsa dy herë të tjera është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesës, për të kulmuar mëngjesin e djeshëm, kur ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive.

Një sasi e konsiderueshme tritoli është vendosur në vetratën e minimarketit që ndodhet në katin e parë të objektit.

KONFLIKTI

“Panorama” mëson se dyshohet që të gjitha këto ngjarje kanë lidhje me një borxh në Angli.

Autori dhe djali i Shaban Agës janë konfliktuar në shtetin britanik, pasi ky i fundit dyshohet se i ka marrë një shumë parash borxh. Autori D. K. ka ardhur në Shqipëri dhe iu ka kërkuar borxhin familjes së djalit me të cilin pati konflikt, por nuk ka marrë një përgjigje as prej tyre. Pas kësaj, dyshohet se ka nisur sulmet. Fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit nuk pati të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Shpërthimi shkaktoi panik jo vetëm në familjen Aga, por edhe te fqinjët. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për arrestimin e tij.

ÇFARË THOTË POLICIA

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, njëri prej autorëve është Dardan Kadiu, me të cilin djali i shtëpisë ka një konflikt të hapur në Londër.

“Rreth orës 3:10 (të dielën), në Lagjen 17/1, rruga ‘Shenjtoret’, në fasadën e dyqanit të shtetasit Shaban Aga, 58 vjeç, dyshohet se shtetasi D.K., 31 vjeç, banues në Burrel, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hedhur një sasi të vogël lëndë plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes shtetasit Sh. A. dhe D. K. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje”, tha Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

SI U HODH LËNDA EKSPLOZIVE

Menjëherë pas shpërthimit, forcat e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, duke nisur hetimet. Efektivët kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe një prej tyre, pranë vendit ku ndodhi shpërthimi, ka kapur edhe momentin kur lënda eksplozive shpërthen. Sipas kamerave të sigurisë së banesës Aga, lënda plasëse duket se hidhet nga një makinë tip “Benz”, ngjyrë e zezë, e cila është identifikuar nga Policia. Pasi eksplozivi hidhet nga ana e dritares së pasagjerit, pak sekonda më vonë shpërthen duke shkaktuar dëmtime. Automjeti nuk ndalon fare në vendin e ngjarjes dhe largohet me të njëjtën shpejtësi.

“S’i kam borxh askujt”, çfarë thotë kryefamiljari

Kryefamiljari Shaban Aga ka deklaruar për gazetën “Panorama” se kjo është hera e pestë që sulmohet brenda muajit në banesën e tij dhe bën apel për gjetjen e autorëve dhe vendosjen e drejtësisë.

Ai kërkon që shteti të zbardhë ngjarjen, në të kundërt do të zgjidhë vetë problemi.

Ndërsa pranon se ka një problem të pazgjidhur me një person, 58-vjeçari thotë se vetë nuk i ka borxh askujt.

“Është e pesta herë brenda muajit që e kanë sulmuar banesën. Dy herë më kanë hyrë në banesë dhe më kanë lyer makinën me benzinë. Dy herë më kanë qëlluar në drejtim të banesës me armë dhe kjo është hera e pestë që më hedhin tritol. Unë nuk kam konflikt me njeri.

Pyesni gjithë lagjen. Policia bën punën e vet. Ai personi nuk ka me mua asnjë lloj konflikti. Më ka thënë një far llafi dhe ky muhabet është bërë para pesë-gjashtë muajsh. Policia të bëjë punën e vet. Unë nuk i kam borxh kujt. Unë nuk jam frikacak që të kem frikë. Isha vetëm në shtëpi, por shpërthimi ishte i fortë. Gruan nuk e kisha aty, ndërsa djemtë i kam jashtë.

Të zbardhet sa më parë kjo çështje, ose do të marr masat e mia. Unë nuk do të rri me duart në xhepa. Kamera ka në të gjithë zonën”, tha 58-vjeçari.

© Panorama.al