S’ka më dyshime, eshtrat në Fushë-Kuqe i përkasin adoleshentit Mariglen Gjonaj. Ç’ndodhi ditën e ngjarjes, në shkollë pa celular dhe…

ELVIS HILA/ Kur kanë kaluar më shumë se 7 vjet nga zhdukja në rrethana të mistershme të 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, tashmë s’ka më dyshime mbi identifikimin e tij.

Eshtrat që dolën në sipërfaqen e një shkurreje të djegur në Fushë-Kuqe të Kurbinit, janë konfirmuar se i përkasin adoleshentit Gjonaj.

PËRPUTHJA GJENETIKE

Ekspertiza biologjike e kryer mes profilit të ADN-së së nënës dhe eshtrave të gjetura ka konfirmuar një profil të njëjtë, nënë-bir. Kjo ekspertizë ka sjellë konfirmimin zyrtar dhe identifikimin e plotë të Mariglen Gjonajt, i cili rezulton të jetë vrarë nga persona ende të paidentifikuar.

Tashmë, Prokuroria ka nisur hetimet për akuzën e “Vjedhje me pasojë vdekjen” kryer në bashkëpunim dhe “Asgjësimin e kufomës”.

Ndërsa ende është herët për të folur mbi identitetin e autorëve të krimit. Shtatë vite më parë, Mariglen Gjonaj besohet të ketë shkuar në lagunën e Patokut bashkë me shokët e shkollës, por në rrethana misterioze është zhdukur pa u mësuar asgjë rreth fatit të tij.

Ditën e ngjarjes viktima kishte me vete një orë “Rolex” dhe një varëse floriri, të cilat ia kishte marrë borxh kushëririt të tij. Por në 3 prill 2022, Policia është njoftuar nga banorët e zonës, se kishin gjetur disa eshtra njeriu.

Policia dhe Prokuroria e Laçit tërhoqën eshtrat dhe filluan hetimet për identifikimin e tyre. Nuk kaluan shumë ditë dhe Prokuroria kërkoi profilin e ADN-së së të riut Mariglen Gjonaj.

Gruaja ka mbërritur nga Italia në Shqipëri dhe ka dorëzuar një profil ADN-je pranë Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit. Ky profil është analizuar me profilin e marrë nga eshtrat e gjendura në Fushë-Kuqe, dhe përgjigjja ka qenë në përputhshmëri të njëjtë.

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë dalë në përfundimin se një pjesë e eshtrave të gjetura në zonën e Fushë-Kuqes, rezultojnë të jetë të dëmtuara me mjete të forta. Specialistët nuk janë në gjendje të përcaktojnë se cilët janë mjetet e përdorura për goditjen e viktimës, por ky fakt ka lindur dyshime se Mariglen Gjonaj para se të vritej është dhunuar me sende të forta. Zhdukja e adoleshentit 16- vjeçar Mariglen Gjonaj është hetuar fillimisht nga Prokuroria e Laçit dhe më pas çështja ka kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Kjo e fundit kreu hetime për akuzën e rrëmbimit të personit, por pas shpërbërjes së Krimeve të Rënda dosja i kaloi për hetime të mëtejshme sërish në Kurbin. Hetimet u pezulluan derisa pak kohë më parë në zonën e Fushë-Kuqes është gjendur një skelet njeriu. Adoleshenti Gjonaj u zhduk në rrethana të mistershme teksa ishte me shokët e tij, të klasës. Ditën e zhdukjes ai kishte me vete një orë “Rolex” dhe një varëse floriri.

Si u zhduk

Nxënësi i klasës së 10-të në gjimnazin e Mamurrasit, Mariglen Gjonaj, kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë më 18 maj 2015, por atë ditë nuk u kthye në banesë, duke alarmuar familjarët.

Pas kërkimeve, ata bënë denoncim në Polici, por as forcat e rendit nuk patën sukses.

Ditën që adoleshenti u largua nga banesa për në shkollë nuk kishte marrë as telefonin me vete. Nëna e tij, Luljana Gjonaj, i bënte apel shtetit ta ndihmonte për të gjetur të birin.

“Djali kur është larguar ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrenjte në dorë ‘Rolex’, të cilat kapnin një vlerë 10 milionë lekë të vjetra. Unë dyshoj se djalin ma kanë rrëmbyer për t’i marrë bizhuteritë.

Kemi shkuar disa herë në Polici, por mua më ka humbur besimi te blutë e Kurbinit, pasi djali ka dy muaj i humbur dhe ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo vdekur”, tha ajo në atë kohë.

© Panorama.al